Qendra për Hulumtimin e Opinionit
Drejtues i Qendrës për Hulumtim të Opinionit - Lulzim Pllana M.A.
Qëllimet dhe veprimet e Qendrës për Hulumtim të Opinionit janë lansimet e projekteve afatgjata dhe afatshkurtra në hulumtim të opinionit publik me qëllim të ngritjes së nivelit hulumtues shkencor.
Kjo qendër është e hapur për të gjithë dhe ka të drejtën e bërjes së projekteve komerciale.
Qendra për Hulumtim të Opinionit përbëhet nga një staf i ri me përvoja shkencore të përshtatshme për të.
Kjo qendër në të kaluarën ka realizuar disa projekte komerciale dhe tani po vazhdon me propozime për projekte të reja shkencore dhe komerciale.
Barometri Politik është titulli i projektit të fundit që është realizuar.
Ky projekt synon që të jetë pasqyrë dhe udhërrëfim i opinionit të publikut ndaj politikës aktuale në vend.
Projekti do të realizohet në periudhë afatgjatë bazuar në bashkëpunimin me Qendrën Hulumtuese për Opinion të Fakultetit të Shkencave Shoqërore të Universitetit të Lubjanës që është Qendra më e njohur e këtij lloji në Slloveni dhe njëra ndër më të njohurat në Evropën Qendrore.
"Barometri Poltik" do të realizohet çdo tre muaj bazuar në metodologjinë e Qendrës për Opinion të Universitetit të Lubjanës.
Numri i parë i projektit është realizuar në mënyrë metodologjikisht të përsosur dhe transparente. Në këtë mënyrë do të zbatohen edhe numrat e radhës të projektit Barometri Politik. Metodologjia e projektit është bazuar në standarde evropiane.
Fillimisht projekti është realizuar me metodën face to face dhe është elaboruar në tri faza. Projekti ka përfshirë të gjitha komunat e territorit të Kosovës.
Në fazën e parë të projektit ishin të përfshira konkursi, përzgjedhja e kandidatëve dhe trajnimi i tyre. Për të arritur deri te përfundimi i numrit të parë të projektit kanë marrë pjesë anketues me përvojë, kryesisht studentë të Universitetit AAB me qëllim të zhvillimit të metodologjisë hulumtuese të tyre.
Faza e dytë e projektit është realizuar me mbledhjen e të dhënave në terren dhe analizimin e tyre.
Faza e tretë dhe e fundit për këtë numër është publikimi i të dhënave.
Në përfundim të tërësishëm të projektit pritet që strukturat politike të funksionojnë më mirë dhe në mënyrë efektive, gjithashtu të ngritet vetëdija politike duke insistuar në arritjen e standardeve të Bashkimit Evropian.
Qendra për Hulumtim të Opinionit do të vazhdojë punën në përpilim të projekteve të reja.
