Qendra për Hulumtime në Arkitekturë dhe Arte prezantoi projektin hulumtues Prania e Arkitektit dhe Arkitekturës në Shoqërinë Kosovare Sot
Qendra për Hulumtime në Arkitekturë dhe Arte e Universitetit AAB në bashkëpunim me Asociacionin e Arkitektëve të Kosovës, prezantoi rezultatet përfundimtare të projektit hulumtues Prania e Arkitektit dhe Arkitekturës në Shoqërinë Kosovare Sot.
Valon Gërmizaj, Drejtues i QHAA - së, tha se projekti i realizuar kishte për qëllim zbulimin e njohurive të përgjithshme të banorëve të Kosovës për arkitektin dhe veprimtarinë e tij. Ai prezantoi punën kërkimore duke filluar nga fazat e para të realizimit të saj e deri tek rezultatet përfundimtare të nxjerura nga anketimi i banorëve të Kosovës.
Sipas rezultateve të hulumtimit, një ndër objektet më të pëlqyera për banorët e Kosovës është ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, ndërsa sipas tyre, Eliza Hoxha është arkitektja vendore më e përmendura në Kosovë.
Gjithashtu edhe Ylber Vokshi, arkitekt dhe anëtar i Asociacionit të Kosovës diskutoi rreth arkitekturës në përgjithësi, zhvillimit të saj në Kosovë dhe ndikimin e arkitekturës në zhvillimin e një shoqërie e cila ishte temë e këtij projekti hulumtues.
Gjatë këtij prezantimi të pranishmit u njoftuan edhe me 16 sygjerime të cilat synojnë zhvillimin e mirëfilltë të Arkitekturës në Kosovë.
Projekti Prania e Arkitektit dhe Arkitekturës në Shoqërinë Kosovare Sot është mbështetur edhe nga shumë arkitektë të tjerë të cilët mendojnë se duhet vazhduar me realizimin e projekteve të këtilla.
